Hyrje
Ky është Kodi i Etikës dhe Praktikës Profesionale për të gjithë individët anëtarë[1] të Analizës së Grupit në Shqipëri, i cili është mbështetur në Kodin Etik të Federatës Evropiane të Psikoterapive Psikanalitike, si dhe në Kodin Etik të Institutit të Analizës së Grupit, të Mbretërisë së Bashkuar. Ky Kod ka dy qëllime kryesore. Së pari, të përcaktojë vlerat dhe parimet e përgjithshme dhe të vendosë standarte të sjelljes profesionale për psikoterapistët me drejtim psikoanalitik dhe Institutet e Trajnimit me Orientim Psikoanalitik dhe së dyti, të informojë dhe mbrojë ata anëtarë të publikut të cilët kërkojnë shërbimet e tyre.
Rregullat e këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u ndjekur pasi ato ndikojnë drejtpërsëdrejti në marrëdhëniet me klientët, kolegët dhe publikun. Këto rregulla aplikohen në praktikën private ose atë të punësimit, dhe kanë të bëjnë me psikoterapinë apo me punë profesionale me grupet, individët, familjet dhe organizatat.
Një anëtar nuk mund të punojë si psikoterapist/analist grupi gjatë periudhës kur anëtarësia është pezulluar, si rezultat i proceseve disiplinore shqyrtuar nga AGSH-ja. Ky anëtar duhet të respektojë çdo kufizim të përcaktuar nga AGSH-ja në praktikën e tij.
Anëtarët duhet të respektojnë dhe promovojnë profesionin e psikoterapisë individuale dhe analizës së grupit. Çdo veprim që bie në kundërshtim me këtë pohim konsiderohet shkelje e Kodit të Etikës dhe Praktikës Profesionale të AGSH-së.
Anëtarët janë të detyruar të njoftojnë menjëherë Komisionin e Etikës së AGSH-së në rast se ata bëhen subjekt i ndonjë ndjekjeje kriminale, apo i ndonjë cështjeje civile që lidhet me praktikën e tyre profesionale. Gjithashtu, ata duhet të njoftojnë Komisionin e Etikës edhe në rastet kur ndaj tyre ka filluar një proces hetimi ose është ngritur një çështje disiplinore nga ana e punëdhënësit, apo nga një tjetër strukturë profesionale.
Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik mbartin përgjegjësi për mbikëqyrjen e parimeve bazë të Kodit të Etikës dhe Praktikës Profesionale dhe duhet ta përdorin këtë kod si bazë të praktikës së mirë, në vend që ta konsiderojnë si një listë kërkesash/detyrimesh minimale.
Parimet dhe Vlerat e Përgjithshme
- Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik respektojnë dinjitetin dhe vlerat e individit, dhe përpiqen në ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të tyre. Ata angazhohen në rritjen e njohurive rreth sjelljes së individit dhe njohjes që individët kanë për veten dhe të tjerët, si edhe në përdorimin e këtyre njohurive në promovimin e mirëqenies njerëzore.
- Në ndjekjen e këtyre objektivave, ata bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme, në mbrojtjen e mirëqenies të të gjithë individëve që kërkojnë shërbimet e tyre dhe të afërmve të individëve që përdorin shërbimet e tyre (kur këto nuk bien në konflikt me nevojat e klientëve të tyre), si dhe me çdo pjesëmarrës në kërkime shkencore, i/e cili/cila mund të jetë objekt studimi.
- Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, respektojnë anëtarët e tjerë, të të njëjtit profesion me të tyrin dhe ata që kanë profesione të ngjashme, dhe bëjnë çdo përpjekje që, për aq sa ata munden, dhe për aq sa nuk bie në konflikt me interesin e klientëve të tyre, të ofrojnë informacione të plota dhe të tregojnë respekt reciprok.
- Ata përdorin aftësitë e tyre vetëm për qëllime që janë në përputhje me këto vlera, dhe nuk lejojnë me vetëdije keqpërdorimin e tyre nga të tjerët.
- Teksa kërkojnë liri për veten, për të hulumtuar dhe komunikuar, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik pranojnë përgjegjësinë që kjo liri kërkon: kompetencë, objektivitet në aplikimin e aftësive, preokupim lidhur me interesin më të mirë të klientëve, kolegëve, studentëve, pjesëmarrësve në kërkime shkencore dhe anëtarë të shoqërisë.
- Si praktikantë, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të ndërgjegjshëm për mbajtjen e një barre të rëndë përgjegjësie sociale, pasi rekomandimet dhe veprimet e tyre profesionale mund të ndryshojnë jetët e të tjerëve. Ata janë të vëmendshëm ndaj situatave dhe presioneve personale, sociale, organizative, financiare, mjedisore apo politike, të cilat mund të çojnë drejt keqpërdorimit të influencës së tyre.
- Në ndjekjen e këtyre idealeve, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik pajtohen me parimet etike të detajuara në vijim.
- Mirëqenia e klientit
1.1. Psikoterapistët me drejtim psikanalitik respektojnë integritetin e klientit dhe mbrojnë mirëqenien e tij dhe të grupeve me të cilët ata punojnë. Në rastet e konflikteve të interesit ndërmjet klientëve dhe psikoterapistëve (pavarësisht vendit ku ata ushtrojnë profesionin e tyre), këta të fundit i sigurojnë për besnikërinë dhe i informojnë për përgjegjësitë e tyre, si dhe i mbajnë të gjitha palët e informuara në lidhje me angazhimet e tyre.
Psikoterapistët me drejtim psikanalitik informojnë në mënyrë të plotë klientët e tyre në lidhje me qëllimin dhe natyrën e procesit të vlerësimit, trajtimit, edukimit apo trajnimit. Ata pranojnë haptazi që klientët, studentët, pjesëmarrësit në trajnim apo studime kërkimore kanë lirinë të zgjedhin në lidhje me pjesëmarrjen. Detyrimi i individëve për të marrë pjesë ose për të qëndruar në këto shërbime/procese është jo-etik.
1.2 Psikoterapistët me drejtim psikanalitik janë në vazhdimësi të vetëdijshëm për nevojat e tyre si dhe të ndikimit që kanë tek klientët, studentët dhe personat nën trajnim. Ata shmangin shpërdorimin e besimit dhe varësisë të këtyre personave.
1.3. Psikoterapistët me drejtim psikanalitik duhet të jenë në mënyrë të vazhdueshme të ndërgjegjshëm për motivet e tyre të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme për të nisur dhe për të vazhduar profesionin dhe praktikën e tyre. Praktikantëve u kërkohet të ruajnë aftësinë e tyre për të kryer detyrën me profesionalizëm dhe të ndërmarrin hapat e duhura për këtë. Kjo përfshin të qenit të mirëinformuar lidhur me zhvillimet klinike dhe teorike të fushës. Konkretisht, çdo praktikues duhet të ketë një program mbi zhvillimin profesional në vazhdim.
1.4. Psikoterapistët me drejttim psikanalitik bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të shmangur marrëdhëniet e dyfishta të cilat mund të dëmtojnë gjykimin profesional, apo shtojnë rrezikun e abuzimit. Shembuj të marrëdhënieve të dyfishta përfshijnë (por nuk janë të kufizuara) trajtimin profesional të/apo përfshirjen në studime kërkimore të: studentëve, vartësve, supervizorëve, shokëve/miqve të ngushtë, apo të afërmve. Marrëdhëniet intime seksuale me klientë, studentë, persona nën trajnim apo pjesëmarrës në studime kërkimore janë jo-etike.
1.5. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të largohen nga praktika psikoterapeutike në rast se gjendja e tyre fizike dhe psikologjike është e dëmtuar rëndë, për shembull si rezultat i alkoolit, lëndëve narkotike, ilaçeve, sëmundjeve, stresit apo traumave personale. Në këto situata, praktikuesi duhet të referojë klientët e tij tek kolegët, si dhe të marrë ndihmën e duhur profesionale dhe/ose psikoterapeutike.
1.6. Në rast se një psikoterapist me drejtim psikoanalitik bie dakord të ofrojë shërbime ndaj një klienti nëpërmjet një pale të tretë, ai/ajo merr përgjegjësinë të sqarojë natyrën e marrëdhënieve me të gjitha palët e përfshira.
1.7. Marrëdhëniet profesionale ndërmjet psikoterapistit me drejtim psikoanalitik dhe klientit fillojnë që në kontaktin e tyre të parë dhe vazhdojnë gjatë trajtimit psikoterapeutik, e më pas në fazën post-analitike. Kodi i Etikës udhëzon sjelljen e praktikuesve ndaj klientëve të tyre gjatë trajtimit e deri 3 vjet pas ndërprerjes së terapisë.
1.8. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik kanë të drejtë të zgjedhin teknikat e trajtimit në setting-un e tyre. Ata duhet të informojnë klientët që psikoterapia është një lloj dialogu dhe se të gjitha ndjesitë dhe dëshirat duhet të vendosen në fjalë. Komunikimi verbal dhe jo-verbal përdoren për të lehtësuar këtë proces.
1.9. Gjatë një seance, klientët kanë të drejtën të shprehin verbalisht të gjitha mendimet dhe ndjesitë e tyre. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të eksplorojnë mendimet dhe ndjesitë e lidhura me to që vijnë prej klientëve. Ata kanë të drejtë të përdorin mënyra të përshtatshme për të minimizuar sjelljen agresive nga ana e klientit, si dhe të vendosin kufinj të qartë të punës psikoterapeutike.
1.10. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik angazhohen në marrëdhënie terapeutike me klientët duke përdorur metodologjinë psikoanalitike. Klientët kanë të drejtë të shprehin reagimet e tyre ndaj këtyre marrëdhënieve. Qëllimi i këtij verbalizimi të pakufizuar është eksplorimi i mekanizmave mbrojtës të klientit gjatë kohës që ata shprehin veten në terapi.
1.11. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të përdorin seancat diagnostikuese për të vendosur nëse ata mund t’i shërbejnë klientit.
1.12. Psikoterapisti psikoanalitik duhet të reflektojë mbi përshtatshmërinë e metodës që ai përdor për një klient të caktuar, simptomatologjinë dhe profilin e tij. Referimi i klientit duhet të kryhet në rast se kjo konsiderohet e përshtatshme për interesin më të lartë dhe përfitimin maksimal të klientit. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik e ndërpresin marrëdhënien klinike kur kjo kërkohet nga klienti. Ata ofrohen të ndihmojnë klientin për të identifikuar burimet të tjera të ndihmës.
1.13. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik kanë të drejtë të refuzojnë një klient nëse ata e gjykojnë kërkesën e këtij të fundit jo-realiste ose dëmtuese për klientin, për veten e tyre ose për publikun e gjerë.
1.14. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të minimizojnë idetë dhe veprimet të cilat cënojnë dinjitetin e klientit, të lidhur ngushtësisht me etninë, rracën, gjininë, orientimin seksual, fenë dhe statusin e tyre socio-ekonomik.
- Standartet Morale dhe Ligjore
2.1. Standartet morale dhe etike të sjelljes së terapistëve psikoanalitikë janë një çështje personale, siç janë edhe për çdo qytetar tjetër, në përjashtim të rasteve kur këto sjellje mund të kompromentojnë përmbushjen e përgjegjësive të tyre profesionale, apo në rastet e uljes së besimit publik në profesionin e psikoterapisë apo ndaj psikoterapistëve. Për sa i përket sjelljes së tyre personale, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të ndjeshëm në nxitjen e standarteve në komunitet, si edhe ndaj ndikimit që pajtimi apo devijimi ndaj këtyre standarteve mund të ketë kundrejt cilësisë apo performancës së tyre si profesionistë. Psikoterapistët me orientim psikoanalitik janë gjithashtu të vetëdijshëm për ndikimin që sjellja e tyre publike ka tek kolegët e tyre, lidhur me ushtrimin e detyrës së tyre profesionale.
2.2. Si punonjës apo punëdhënës, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk angazhohen në asnjë praktikë të cilat përkufizohen si jo-njerëzore ose të cilat rezultojnë në veprime të pajustifikuara apo të paligjshme. Këtu përfshihen, praktika të bazuara tek etnia, rraca, aftësia e kufizuar, mosha, gjinia, marrëdhënia e punës, promovimi, apo trajnimi.
2.3. Në rolin e tyre profesional, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik shmangin çfarëdo veprimi i cili mund të dhunojë ose të kufizojë të drejtat civile të klientëve apo të kujtdo tjetër që mund të preket nga këto veprime.
2.4. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk përftojnë nga marrëdhëniet e tyre me klientët, supervizorët, studentët, të punësuarit, apo pjesëmarrësit në kërkime shkencore. Praktikantët janë të kërkuar të ruajnë kufinjtë e domosdoshëm në këto marrëdhënie profesionale si edhe të bëjnë kujdes të mos përfshihen me pacientët e tyre emocionalisht, financiarisht apo seksualisht.
2.5. Në rastet kur një terapist është në dijeni dhe e gjykon si të drejtë një thyerje të etikës të bërë nga një terapist tjetër, ata duhet të vënë në dijeni terapistin në fjalë, në një mënyrë informale. Kjo ndërhyrje është e nevojshme nëse masa e keqpërdorimit të praktikës është e ulët, apo vjen si pasojë e mungesës së eksperiencës, ndjeshmërisë apo mungesës së njohurive. Këto ndërhyrje korrigjuese bëhen me ndjeshmëri dhe duke ruajtur të drejtën e konfidencialitetit. Nëse ndërhyrja informale nuk sjell asnjë zgjidhje të problemit dhe nëse problemi ka një natyre formale, atëherë psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet ta referojnë rastin në vëmendjen e institucioneve, shoqërive apo komiteteve përkatëse mbi çështjet e etikës.
- 3. Marrëveshja, Setting-u dhe Struktura e Trajtimit
3.1. Mbarëvajtja profesionale e terapistit psikoanalitik varet tërësisht nga mirëqënia e publikut dhe interesat e klientit.
3.2. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, që në fillim të praktikës me klientët e tyre, u bëjnë atyre të qartë se të gjitha çështjet janë me interes për punën e përbashkët. Ata i evitojnë marrëdhëniet të cilat mund të kufizojnë objektivitetin e tyre apo të krijojnë konflikte interesi.
3.3. Marrëveshja përkufizon marrëdhënien psikoanalitike si një bashkëpunim i dyanshëm ku njohuritë profesionale dhe aftësitë e terapistit psikoanalitik vihen në përdorim të njohjes së motiveve të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme të pacientit për të zgjidhur problemet.
3.4. Marrëveshja fillestare përfshin diskutimin e çështjeve, si: natyra e trajtimit, përfitimet dhe rreziqet e trajtimit psikoterapeutik, zgjatja dhe shpeshtësia e seancave, vendi dhe oraret e tyre, pagesat, mënyrën se si do të bëhen pagesat, anullimin e seancave, pagesat për seancat e humbura, etj.
3.5. Në rastin e trajtimit në grup, analisti i grupit duhet të sigurojë kushte fizike dhe akomodim të përshtatshëm për trajtimin psikoterapeutik duke iu përmbajtur parimeve të administrimit dinamik.
3.6. Trajtimi psikoanalitik është i bazuar mbi miratimin e informuar të klientit si edhe pjesëmarrjen e tij në procesin psikoterapeutik.
3.7. Etika profesionale përjashton çfarëdo lloj marrëdhënieje që mund të jetë në përfitim të psikoterapistit psikoanalitik. Është jo-etike për psikoterapistët me drejtim psikoanalitik të kenë kontakte fizike, seksuale apo agresive me klientët e tyre qoftë kjo edhe me miratimin e klientëve.
3.8. Klientët nuk mund të marrin trajtim kundër dëshirës së tyre apo pa aprovimin e tyre. Ndërkohë për trajtimin e fëmijëve, miratimi duhet të jepet nga prindërit apo nga kujdestarët e tyre. Të drejtat e fëmijës nuk mund të shkelen asnjëherë nga psikoterapisti.
4 Konfidencialiteti dhe Shënimet Personale të Terapistit
4.1. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik kanë si detyrim primar të respektojnë konfidencialitetin e informacionit të marrë nga individët gjatë punës me ta.
4.2. Zbulimi i informacioneve konfidenciale pa miratimin e shkruar të klientëve është një shkelje serioze e etikës profesionale. Në rastet kur psikoterapisti duhet të përdorë materialin e një klienti për prezantime, artikuj shkencorë, etj, identiteti i klientit duhet të jetë i fshehur dhe i paidentifikueshëm. Përjashtim mund të përbëjë vetëm rasti kur psikoterapisti psikoanalitik e konsideron mbajtjen e informacionit të klientit si të rrezikshëm për klientin, individë të tjerë apo për publikun. Psikoterapisti psikoanalitik duhet të ruajë ekuilibrin midis konfidencialitetit dhe mirëqënies së publikut.
4.3. Klientët duhet të informohen rreth konfidencialitetit të materialit të dhënë prej tyre dhe kushtet se kur ky konfidencialitet mund të thyhet.
4.4. Konfidencialiteti duhet ruajtur për një periudhë të pakufizuar. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik marrin masa për të ruajtur fshehtësinë e materialeve (shënime, regjistra) të rasteve edhe në mungesë.
4.5. Kur punohet me minoritete apo me individë të tjerë të cilët nuk janë në gjendje të japin vullnetarisht miratimin e tyre, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik bëjnë kujdes të veçantë për të mbrojtur interesat e tyre dhe konsultojnë individë të tjerë të përfshirë në mënyrën e duhur.
4.6. Vetëm një klient mbi moshën tetëmbëdhjetë vjeç mund të japë miratim lidhur me vendime për procesin teraupetik. Nëse klienti është nën tetëmbëdhjetë vjeç, atëherë një prind ose kujdestar duhet të përfshihet në të gjitha proceset vendimmarrëse.
- 5. Strukturimi i Marrëdhënies me Klientin
5.1. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik paguhen nga klientët e tyre vetëm për punën e bërë dhe për kohën e shpenzuar me klientët. Marrëveshja mbi pagesën mbetet një diskutim i hapur me klientin dhe duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët.
5.2. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk paguajnë dhe nuk u paguhet komision kur ata referojnë klientë tek kolegë të tjerë të tyre apo kur marrin referime.
5.3. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të kërkuar të paraqesin kualifikimet e tyre kur u kërkohet, dhe jo të pretendojnë të kenë kualifikime të cilët ata nuk i posedojnë.
5.4. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të kërkuar të paraqesin kushtet dhe detajet e metodës së praktikës së tyre në fillimet e trajnimit të psikoterapisë.
5.5. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të njoftojnë për çfarëdo ndryshimi të bërë në axhendën e tyre të praktikës dhe pushimet e paraprogramuara.
- Kompetenca Profesionale
6.1. Mbajtja e standarteve të larta të kompetencave/funksioneve/detyrave është një përgjegjësi që ndahet bashkërisht nga të gjithë psikoterapistët me drejtim psikoanalitik në interes të publikut dhe profesionit si i tërë. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm, për kufizimet e kompetencave dhe kufizimet e teknikave të tyre. Ata ofrojnë vetëm shërbime dhe përdorin teknika, për të cilat janë kualifikuar nga trajnimet dhe eksperiencat që kanë marrë. Në ato fusha në të cilat standarde të mirëpranuar nuk ekzistojnë ende, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik marrin të gjitha masat e mundshme, në funksion të mbrojtjes dhe mirëqenies së klientëve. Ata informohen vazhdimisht mbi të dhënat e fundit shëndetësore, shkencore dhe profesionale që kanë të bëjnë me shërbimet që ata ofrojnë.
6.2. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm për orientimet e shumta që ekzistojnë në fushën e psikoanalizës, në aspektin teorik dhe praktik. Ata gjithashtu janë të vetëdijshëm për modalitetet e tjera psikoterapeutike. Ata kanë prirje për të zgjeruar njohuritë dhe aftësitë e tyre duke treguar interes ndaj teorive, teknikave dhe njohurive të reja në modalitetin e tyre, si dhe në qasjet e tjera humaniste/njerëzore dhe shkencore.
6.3. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm për nevojën për edukim të vazhdueshëm profesional si dhe zhvillim personal, dhe janë të hapur ndaj procedurave të reja dhe ndryshimeve të pritshmërive dhe vlerave me kalimin e kohës.
6.4. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, përpiqen vazhdimisht për të përmirësuar aftësitë e tyre profesionale, të marrin pjesë në konferenca, asamble, workshop-e dhe seminare për psikoterapinë dhe psikoanalizën.
6.5. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik mbajnë përgjegjësi për punën e tyre dhe nuk duhet të shkojnë, përtej kufizimeve të kompetencave të tyre. Në raste daljeje në pension, sëmundjeje apo në përfundim të një trajtimi, ata mund t’i delegojnë funksionet e tyre vetëm specialistëve, të cilët trajnimi dhe eksperienca që kanë marrë, i bën ata mjaftueshëm kompetentë për të ushtruar këto funksione.
6.6. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik praktikojnë në vendin e tyre në përputhje me normat ekzistuese dhe ligjet/rregullat që kanë të bëjnë me profesionin e tyre, titullin që kanë dhe nivelin e kompetencave ligjore.
6.7. Nëse psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk janë mjaftueshmërisht të aftë në diagnostikim, metodë terapeutike apo çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit të klientit, përgjegjësia e tyre profesionale dhe detyra morale është që të konsultohen me kolegë të specializimeve të përbashkëta. Konsultimet profesionale duhet të ofrohen dhe të merren nga kolegë, për të mirën e klientëve, jo për të mirën e psikoterapistëve me drejtim psikoanalitik. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk duhet të refuzojnë dhënien e ndihmës profesionale kolegëve të tyre.
6.8. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm për dallimet midis njerëzve të tilla si ato që kanë të bëjnë me moshën, gjininë, përkatësinë socio-ekonomike dhe etnike, apo nevojat e veçanta të atyre që mund të kenë qenë të dizavantazhuar. Ata marrin trajnimin dhe eksperiencën e përshtashme ose këshilla për të siguruar shërbime kompetente dhe të duhura që kanë të bëjnë me individët në fjalë.
6.9. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik të cilët mbajnë përgjegjësi për vendime të cilat kanë të bëjnë me individët dhe ligjet që kanë lidhje me rezultatet e testeve kërkimore, duhet të kenë njohuri mbi metodat matëse psikologjike dhe edukuese, probleme që kanë të bëjnë me validimin dhe testet kërkimore.
6.10. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm që problemet dhe konfliktet personale mund të ndërhyjnë në efikasitetin e tyre si profesionistë. Duke pasur parasysh këtë gjë, ata nuk marrin përsipër asnjë aktivitet/veprim në të cilën problemet e tyre personale me shumë gjasë mund të çojnë në performancë të papërshtatshme apo të dëmtojnë klientin, kolegun, studentin ose pjesëmarrësin në kërkimin shkencor. Nëse janë të angazhuar në aktivitete/veprime të tilla, kur bëhen të vetëdijshëm për problemet e tyre personale, ata kërkojnë asistencë profesionale kompetente për të përcaktuar nëse duhet të ndërpresin, përfundojnë apo të kufizojnë qëllimin e aktiviteteve të tyre profesionale.
6.11. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të përfitojnë nga supervizimi dhe të përdorin çdo mundësi për t’u supervizuar kur kjo mundëson përmirësimin e cilësisë së trajtimit dhe rezultatet. Gjatë trajnimit psikoanalitik kandidatët janë përgjegjës për cilësinë dhe sasinë e analizës së tyre personale dhe supervizimit në përputhje me standardet për trajnim të European Confederation of Psychoanalytic Psychotherapies (ECPP) European Group Analytic Training Institutions Network (EGATIN).
6.12. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik të cilët ndërmarrin aktivitete në fusha të reja të ndryshme, sigurojnë që kanë përfunduar të gjitha trajnimet dhe detyrimet profesionale që kanë të bëjnë me atë fushë përpara se të ushtrojnë. Po ashtu sigurojnë që aktiviteti i tyre në këtë fushë të re është i standardit më të lartë të mundshëm. Ata sigurohen që nuk ka ngatërrim apo konflikte me aktivitetin aktual.
- 7. Marrëdhëniet e Anëtarëve me Jo-Klientë, Studentë, dhe Individë në Supervizim.
7.1 Anëtarët që drejtojnë një grup, ose kanë kontakt individual në cilësinë e një analisti, pavarësisht nëse setting-u është klinik ose jo, duhet t’i konsiderojnë përgjegjësitë e tyre ndaj klientëve në të njëjtën mënyrë si ndaj klientëve klinikë.
7.2. Anëtarët që veprojnë si supervizorë (mbikqyrës) duhet të sigurohen që marrëdhëniet e tyre me individët në supervizim janë të mbështetura në sjellje profesionale dhe gjithë informacioni brenda supervizimit duhet të trajtohet si konfidencial, me përjashtim të rasteve kur mirëqenia e të supervizuarve, studentëve, apo të tjerëve mund të kërcënohet.
7.3. Anëtarët të cilët janë Trajnerë-Analistë Grupi duhet t’u përmbahen parimeve të zakonshme mbi konfidencialitetin në marrëdhëniet me individët në trajnim apo ata që mund të bëhen pjesë e trajnimit, sikurse me klientët në përgjithësi, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë çështje serioze në lidhje me përshtatshmërinë apo “sigurinë” e atyre që po trajnohen apo kualifikohen si Analistë Grupi.
- Reklamat dhe Deklaratat Publike
8.1. Deklaratat publike, lajmërimet për shërbimet, reklamat dhe aktivitetet promovuese të psikoterapistëve me drejtim psikoanalitik, shërbejnë për të ndihmuar publikun në bërjen e gjykimeve dhe marrjen e vendimeve të informuara. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik përfaqësojnë në mënyrë të saktë dhe objektive kualifikimet/arritjet e tyre profesionale, përkatësitë dhe funksionet e tyre, gjithashtu dhe ato institucione dhe organizata, me të cilat ata, ose, deklaratat e tyre mund të jenë të lidhura. Në deklaratat publike, të cilat, ofrojnë informacione psikoterapeutike ose opinione profesionale apo dhënia e informacioneve rreth disponueshmërisë së teknikave, produkteve, publikimeve dhe shërbimeve, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik i bazojnë deklaratat e tyre, në gjetje dhe teknika që janë përgjithësisht të pranueshme, me vetëdije të plotë të kufizimeve dhe pamjaftueshmërisë së këtyre gjetjeve.
8.2. Gjatë shpalljes apo reklamimit të shërbimeve profesionale, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik mund të listojnë informacionin në vijim, për të përshkruar ofruesin dhe shërbimet e ofruara: emri, grada më e lartë e arritjes akademike ose çertifikata trajnimi të fituara nga një institucion i akredituar, data, lloji, diploma nga rrjete/organizata të mirënjohura ndërkombëtare të psikoterapisë, anëtarësim në organizata të psikoterapisë apo psikoanalizës si dhe në organe profesionale të ngjashme apo të lidhura. Ato mund të përfshijnë adresat, numër telefoni, oraret e shërbimit, një listë e shkurtër e llojeve të shërbimeve psikologjike të ofruara, një prezantim i përshtatshëm i informacioneve për pagesën, gjuhët e huaja që përdoren, rregullat ligjore që kanë të bëjnë me mbulimin financiar nga shërbimet e sigurimit ose pagesat nga palë të treta dhe informacione të tjera përkatëse të shkurtuara. Informacione shtesë të përshtatshme dhe të rëndësishme për konsumatorin mund të përfshihen nëse nuk janë të ndaluara nga seksione të tjera të këtij dokumenti mbi Parimet Etike.
8.3. Gjatë shpalljes apo reklamimit të shërbimeve psikoterapeutike të disponueshme apo publikimeve, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, nuk paraqesin asnjë lidhje të tyre me asnjë organizatë, që në mënyrë të rreme nënkupton sponsorizim apo çertifikim nga organizata në fjalë. Në mënyrë të veçantë dhe duke dhënë një shembull, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk shpallin statuse në emër të institucioneve, organizatave europiane apo regjistrave kombëtare, të cilat mund të sugjerojnë që statuse të tilla të nënkuptojnë kompetenca dhe kualifikime të specializuara profesionale.
Deklaratat publike mund të përfshijnë por nuk janë të kufizuara nga komunikimi nëpërmjet revistave periodike, librave, listave, internetit, televizionit, radios ose filmave. Ato nuk përmbajnë: (i) deklarata false, mashtruese, çorientuese apo jo të drejta; (ii) një keqinterpretim i fakteve apo një qëndrim që çon drejt gabimeve. (iii) një dëshmi nga një klient në lidhje me cilësinë e shërbimeve, apo produkteve të psikoterapistit; (iv) një deklaratë që ka për qëllim ose të ngjarë, që të krijojë pritshmëri false dhe të pajustifikuara për rezultate të favorshme; (v) një deklaratë false, e cila nënkupton aftësi të pazakonta, të veçanta dhe unike; (vi) një deklaratë që ka për qëllim ose të ngjarë që të tërheqë frikëra, ankthin e klientit ose emocionet që kanë si shqetësim rezultate të mundshme dështimi për të pasur shërbimet e ofruara;(vii) një deklaratë që ka si shqetësim dëshira krahasuese për shërbimet e ofruara; (viii) një deklaratë që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek klientë të veçantë.
8.4. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk kompensojnë apo japin asgjë në vlerë monetare ndaj një përfaqësuesi të shtypit, radios, televizionit ose mediume të tjera të komunikimit, paraprakisht apo pas një publiciteti profesional në një artikull të lajmeve. Reklamat me pagesë duhet të identifikohen si të tilla, vetëm nëse është e qartë nga konteksti që është një reklamë me pagesë. Komunikimi i reklamave tek publiku nëpërmjet radios dhe televizionit bëhet me miratimin e psikoterapistit me drejtim psikoanalitik për transmetimin e tyre. Kopjet e reklamave dhe regjistrimeve të transmetuara tërhiqen nga psikoterapisti me drejtim psikoanalitik.
8.5. Njoftimet dhe reklamat e “grupeve të rritjes personale”, grupeve me interes të veçantë, kurseve, praktikës klinike, trajnimeve si dhe të agjencive, japin një deklaratë të qartë të qëllimit dhe një përshkrim të qartë të eksperiencave të trajnimit të cilat ofrohen. Edukimi, trajnimi dhe eksperiencat e anëtarëve të stafit, specifikohen në mënyrën më të përshtatshme dhe të mundshme përpara fillimit të grupit, kursit të trajnimeve apo shërbimeve. Një deklaratë e qartë e pagesave dhe çdo detyrim kontraktual vihet në dispozicion përpara pjesëmarrjes.
8.6. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik që kanë të bëjnë me zhvillimin apo promovimin e teknikave psikoterapeutike, produkte, libra, apo çështje të tjera të ngjashme të cilat ofrohen për shitje, bëjnë përpjekje të arsyeshme për të siguruar që njoftimet dhe reklamat të prezantohen në mënyrë profesionale, shkencërisht të pranueshme, etike dhe që japin informacione faktike.
8.7. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk marrin pjesë për përfitime vetjake, në njoftime tregtare apo reklama, duke i rekomanduar publikut blerjen apo përdorimin e produkteve në pronësi apo me vetëm një burim, kur pjesëmarrja në të bazohet vetëm në identifikimin e tyre si psikoterapistë.
8.8. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, paraqesin shkencën dhe artin e psikoterapisë dhe ofrojnë shërbime, produkte dhe publikime në mënyrë të drejtë dhe të qartë, duke shmangur prezantimin e gabuar, nëpërmjet ekzagjerimit ose prezantimit sipërfaqësor dhe sensacional. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik udhëhiqen nga detyrimi parësor për të ndihmuar publikun në zhvillimin e gjykimeve, opinioneve dhe vendimeve të informuara.
8.9. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik pranojnë detyrimin për të korrigjuar të tjerët të cilët përfaqësojnë kualifikimet e tij/saj profesionale me produkte dhe shërbime, në një formë të papranueshme me këto udhëzime.
8.10. Kur ofrohet këshillim personal në formën e leksioneve apo shembujve në publik, gazetave ose artikujve në revista, programe radiofonike apo televizive, nëpërmjet postës, ose qasjeve mediatike të ngjashme, psikoterapisti me drejtim psikoanalitik përdor të dhënat më të fundit burimore dhe ushtron nivelin më të lartë të gjykimit profesional.
8.11. Produktet që janë të përshkruara ose të prezantuara nëpërmjet leksioneve ose demonstrimeve publike, ose artikujve në revista, programe radiofonike apo televizive, nëpërmjet postës, ose qasjeve mediatike të ngjashme duhet të përmbushin të njëjtat standarde të pranuara si dhe produktet që përdoren në kontekstin e një marrëdhënie profesionale.
- Kërkimi Shkencor, Aktivitetet Trajnuese dhe Publikimet
9.1. Si praktikantë, mësues, trajnues dhe kërkues shkencor, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik janë të vetëdijshëm për faktin që vlerat e tyre personale mund të ndikojnë në komunikimin e tyre, në përdorimin e teknikave, përzgjedhjen dhe prezantimin e këndvështrimeve ose materialeve, si dhe, në natyrën dhe zbatimin e kërkimit shkencor. Në përballjen me çështje që mund të jenë ofenduese, ata njohin dhe respektojnë qëndrimet e ndryshme, si dhe ndjeshmërinë individuale që klientët, studentët, trajnuesit ose subjektet mund të kenë kundrejt çështjeve të tilla.
9.2. Si mësues ose trajnues, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik njohin detyrimin parësor, për të ndihmuar të tjerët në përvetësimin e njohurive dhe aftësive. Ata mbajnë standarde të larta akademike, duke prezantuar informacionin në mënyrë objektive, të plotë dhe të saktë.
9.3. Si mësues, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik sigurohen që deklaratat në katalogë dhe fletëpalosjet e kurseve të jenë të sakta dhe të mos jenë në drejtim të gabuar, veçanërisht për sa i përket temave që do mbulohen, bazat për vlerësimin e progresit dhe natyrën e eksperiencës së kursit.
Njoftimet, broshurat ose reklama që përshkruajnë workshop-e, seminare, ose programe të tjera edukuese, i përshkruajnë audiencës në mënyrë të saktë kujt i drejtohet ky program, kriteret e pranimit, objektivat e edukimit si dhe natyrën e materialeve që do mbulohen. Këto njoftime gjithashtu, përfaqësojnë në mënyrë të saktë edukimin, trajnimin dhe eksperiencën e psikoterapistëve me drejtim psikoanalitik të cilët paraqesin programin dhe pagesat e përfshira.
9.4. Si kërkues shkencorë, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, pranojnë përgjegjësinë për zgjedhjen e temave të kërkimit dhe metodave të përdorura për hulumtim, analizim dhe raportim. Ata planifikojnë kërkimin e tyre shkencor në mënyrë të tillë që të minimizojnë mundësitë që gjetjet e tyre të marrin një drejtim të gabuar. Ata ofrojnë diskutime të bollshme në lidhje me kufizimet e të dhënave veçanërisht atje ku puna e tyre prek politikat sociale ose interpretohet në dëm të personave në bazë të moshës, seksit, etnisë ose grupeve specifike sociale.
9.5. Në kryerjen e kërkimeve shkencore në institucione apo organizata, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik, sigurojnë pajisjen e autorizimit të duhur për kryerjen e këtij studimi. Ata janë të vetëdijshëm për detyrimin ndaj kërkuesve të ardhshëm shkencorë dhe sigurohen që institucionet mikpritëse të marrin informacionin e duhur rreth studimit si dhe njohjen e duhur e meritës së tyre si kontribues.
9.6. Njoftimet ose reklamat publike të cilat u bëjnë thirrje pjesëmarrësve në studim, në të cilat shërbimet klinike apo shërbimet e tjera profesionale ofrohen si nxitje, bëjnë të qartë natyrën e shërbimeve, kostot dhe detyrimet e tjera të cilat duhet të pranohen nga pjesëmarrësi në studim.
9.7. Në publikimin e raporteve të punës së tyre ata nuk fshehin të dhëna që hedhin poshtë tezat e tyre dhe njohin ekzistencën e hipotezave alternative si dhe shpjegime të gjetjeve të tyre. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik i njohin meritën vetes vetëm për punën që kanë bërë. Ata e bëjnë të qartë paraprakisht me të gjithë personat e duhur dhe agjensitë, pritshmërinë në shpërndarjen dhe përdorimin e të dhënave kërkimore.
9.8. Meritat e publikimit ju caktohen atyre të cilët kanë kontribuar për publikimin, në proporcion me kontributin e tyre profesional. Kontributi kryesor me karakter profesional dhënë nga persona të ndryshëm në një projekt të përbashkët njihet si bashkautorësi me individin që ka dhënë kontributin kryesor i cili listohet i pari. Kontributet minimale të karakterit profesional si dhe asistenca e mëtejshme klerikale apo të natyrës së ngjashme jo profesionale, mund të shënohet si mirënjohje në fund të faqes ose si një deklaratë në hyrje. Mirënjohjet nëpërmjet citateve specifike bëhen për materiale të papublikuara dhe të publikuara, të cilat kanë influencuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkimin apo shkrimin. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik të cilët përpilojnë ose editojnë materiale të personave të tjerë për publikim, publikojnë materialin në emër të grupit të origjinës, në raste kur konsiderohet me vend, me emrin e tyre, i cili shfaqet si drejtues ose editues. Të gjithë kontribuesit njihen dhe u vendoset emri.
- Teknikat e vlerësimit
10.1. Në zhvillimin, publikimin dhe përdorimin e teknikave të vlerësimit psikologjik dhe psikoterapeutik, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik bëjnë çdo përpjekje për të promovuar mirëqenien dhe interesat e klientit. Ata duhet të shmangin keqpërdorimin e rezultateve të vlerësimit. Ata respektojnë të drejtën e klientit për t’u njohur me rezultatet, interpretimet, si dhe bazën e përfundimeve dhe rekomandimeve të tyre. Gjithashtu ata përpiqen të sigurojnë përdorimin e përshtatshëm të këtyre teknikave nga të tjerët.
10.2. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik përgjegjës për zhvillimin dhe standardizimin e instrumentave psikologjikë, si dhe teknikave të tjera vlerësuese përdorin procedurat shkencore, si dhe mbështetjen në standartet përkatëse të European Association for Psychotherapy (EAP) dhe European Confederation of Psychoanalytic Psychotherapies (ECPP).
10.3. Gjatë komunikimit të rezultateve, psikoterapistët me drejtim psikoanalitik duhet të tregojnë çdo lloj rezerve që ata kanë lidhur me vlefshmërinë (validity) dhe besueshmërinë (reliability) për shkak të rrethanave të vlerësimit ose papërshtatshmërinë e normave me personin në vlerësim. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik përpiqen të sigurohen që rezultatet e vlerësimit dhe interpretimi i tyre të mos keqpërdoren nga të tjerët.
10.4. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik pranojnë që rezultatet e vlerësimit nuk janë të përhershme dhe nuk përfaqësojnë panoramën e plotë të personit. Ata bëjnë çdo përpjekje për të shmangur dhe parandaluar keqpërdorimin e metodave të papërshtatme të vlerësimit.
10.5. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të shmangur keqpërdorimin e raporteve vlerësuese.
10.6. Psikoterapistët me drejtim psikoanalitik nuk inkurajojnë dhe as promovojnë përdorimin e teknikave të vlerësimit psikologjik dhe psikoterapeutik nga ata që janë të patrajnuar siç duhet, apo të pakualifikuar.
- Kërkimi shkencor i aplikuar
11.1. Vendimi për të ndërmarrë një kërkim shkencor mbështetet në gjykimin individual të psikoterapistit me drejtim psikoanalitik për të kontribuar sa më mirë në shkencat humane dhe mirëqenien njerëzore. Pas marrjes së këtij vendimi, psikoterapisti shqyrton drejtimet alternative në të cilat duhen investuar energjitë dhe burimet. Mbi këto baza psikoterapisti me drejtim psikoanalitik ndërmerr hulumtimin duke respektuar dinjitetin dhe mirëqenien e individëve pjesëmarrës dhe duke pranuar rregullat dhe standartet profesionale që udhëheqin kërkimin shkencor me pjesëmarrës-njerëz.
11.2. Në planifikimin e kërkimit, psikoterapisti me drejtim psikoanalitik që ndërmerr hulumtimin ka përgjegjësinë e një vlerësimi të kujdesshëm të pranueshmërisë etike. Ruajtja e një ekuilibri ndërmjet vlerave shkencore dhe atyre njerëzore, kërkon nga kërkuesi një vëmendje maksimale ndaj ruajtjes së të drejtave të pjesëmarrësve-njerëz.
11.3. Kërkuesi mban gjithnjë përgjegjësinë për të siguruar praktikën etike gjatë kërkimit. Ai është gjithashtu përgjegjës për trajtimin etik të pjesëmarrësve nga bashkëpunëtorët, asistentët, studentët, të punësuarit, si dhe të gjithë të angazhuarit e tjerë.
11.4. Kërkuesi harton një marrëveshje të qartë dhe të ndershme me pjesëmarrësit e kërkimit përpara pjesëmarrjes, e cila saktëson detyrimet dhe përgjegjësitë e palëve. Kërkuesi ka detyrimin që të respektojë të gjitha premtimet dhe angazhimet e marrëveshjes. Kërkuesi informon pjesëmarrësit mbi të gjitha aspektet e kërkimit të cilat mund të ndikojnë gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë si dhe shpjegon të gjitha aspektet e kërkimit për të cilat pjesëmarrësit kanë pyetje. Mosrealizimi i paraqitjes së plotë të informacionit përpara marrjes së miratimit të aprovuar kërkon parashikimin e disa masave mbrojtëse shtesë në lidhje me mirëqenien dhe dinjitetin e pjesëmarrësve. Kërkimi shkencor me pjesëmarrës-fëmijë, ose me pjesëmarrës që kanë kufizime të tilla që ndikojnë në të kuptuarin dhe/ose komunikim, kërkon gjithashtu masa specifike mbrojtëse.
11.5. Kërkuesi respekton lirinë e individit për të hequr dorë nga pjesëmarrja në çdo kohë gjatë procesit të kërkimit. Detyrimi për të mbrojtur këtë liri kërkon një kujdes dhe konsideratë të veçantë nga ana e tij, duke qenë se është në një pozicion autoritar dhe me ndikim mbi pjesëmarrësin. Të drejtat e individit kanë prioritet krahasuar me nevojat e kërkuesit për të përfunduar kërkimin.
11.6. Pjesëmarrësi duhet të jetë i informuar mbi procedurat e kontaktimit të mëtejshëm me kërkuesin brenda një kohe të caktuar pas përfundimit të pjesëmarrjes, në rast se gjatë kësaj kohe shfaqen faktorë si stresi, dëmtimi i mundshëm, apo pyetje ose shqetësime të lidhura me kërkimin. Miratimi i aprovuar marrë nga pjesëmarrësi nuk i kufizon të drejtat e tyre ligjore si dhe përgjegjësitë ligjore të kërkuesit.
11.7. Pas mbledhjes së të dhënave, kërkuesi u jep pjesëmarrësve informacion mbi natyrën e studimit, si dhe përpiqet të eliminojë çdo keqkonceptim që mund të jetë shfaqur. Nëse vlerat shkencore ose njerëzore justifikojnë ruajtjen e këtij informacioni, kërkuesi ka një përgjegjësi të veçantë të monitorojë kërkimin shkencor dhe të sigurohet që nuk ekzistojnë pasoja dëmtuese për pjesëmarrësin.
11.8. Në rast se procedurat kërkimore rezultojnë në pasoja të padëshirueshme për pjesëmarrësin individual, kërkuesi ka përgjegjësinë të gjejë dhe të eliminojë ose korrigjojë këto pasoja, përfshirë këtu edhe efektet afatgjata.
11.9. Informacioni i marrë nga pjesëmarrësi gjatë procesit të kërkimit është konfidencial, me përjashtim të rasteve kur është rënë dakort ndryshe paraprakisht. Nëse ekziston mundësia që të tjerët të kenë akses në këtë lloj informacioni, kjo së bashku me ruajtjen e konfidencialitetit duhet shpjeguar qartë si pjesë e procedurës për marrjen e miratimit të informuar.
Përgatitur dhe miratuar nga Këshilli Drejtues i AGSH-së,
Korrik 2016, Tiranë
[1] Më tej, në këtë dokument do të përdoret termi ‘anëtar’ për të gjithë individët anëtarë të AGSH, pavarësisht gjinisë.